Katër persona mbetën të vrarë pa u bërë 24 orë mes 17 dhe 18 gushtit në Shqipëri.

Një viktimë në Elbasan, një në Sarandë, e të nesërmen dy të vrarë në një atentat në Vlorë.

Mbrëmjen e 17 gushtit 33-vjeçari Madrit Ulqinaku u vra pas një konflikti të çastit nga 18-vjeçari Horgito Peqini në Elbasan.

Në një zonë me lëvizje të shumta, ku nuk mungonin as patrullat e policisë në vendin e ngjarjes, një 18-vjeçar i iku nga duart policisë së Elbasanit dhe ende nuk ka rënë në pranga.

Por ndërsa bie në sy që krimi ka mbërthyer këtë qytet, një personazh i njohur më parë për publikun del në skenë dhe sulmon gazetarët. Anisa Kostani, nënkomisare në Policinë e Elbasanit, e cila më parë kishte marrë vëmendje sepse mbante një gjarpër si kafshë shtëpiake, sulmon publikisht gazetarët, pasi sipas saj, po baltosin punën e shkëlqyer të policisë.

Dhe me këtë reagim publik, punonjësja e policisë shkeli hapur nenin që tregon qartë se në bazë të funksionit që ka ajo nuk mund të shprehë mendimin e saj personal në rrjetet sociale, aq më tepër me përmbajtje ofenduese e ndër të tjera, edhe përdorimin masiv të rrjeteve sociale.

Por ky reagim kaq “shpërthyes” nuk është diçka e papritur nga Policia e Elbasanit, pasi rezultatet e punës janë të qarta: shndërrimi në një arenë lufte për bandat dhe krimin.

Vrasja e Pjerin Xhuvanit gjatë fushatës elektorale:

Katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit 2021 një ngjarje e rëndë tronditi Elbasanin dhe vendin. Pjerin Xhuvani, eksponent i Partisë Socialiste, mbeti i vrarë pas një përplasjeje për shitblerjen e votës mes socialistëve dhe demokratëve.

Policia, e pranishme në vendngjarje, nuk bëri asgjë për të parandaluar krimin. Veç kësaj, siç u konstatua edhe në dosjen që Abc siguroi, dy drejtuesit e lartë të policisë Albert Nushi (zv.Drejtori për Rendin dhe Sigurinë në Drejtorinë e Policisë së Beratit) dhe Nikollaq Palla (Shef i Sallës së Komandimit në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit) kanë dhënë dëshmi të rreme për ngjarjen.

Ngjarjes së rëndë, ku mbeti i vrarë Xhuvani nga një ish-efektiv i RENEA-s, atë kohë badigard i PD, i kishte paraprirë një tjetër episode, që ngre dyshime të forta mbi policinë.

Burime bënë atëherë më dije se një nga grupet që u përplasën me armë në Elbasan 4 ditë para zgjedhjeve te 25 prillit 2021, në momentin kur ndodhi përplasja me armë, i kanë vënë fillimisht pistoletën në kokë Nikollaq Pallës. Madje kjo ngjarje u pa edhe nga policët, të cilët të pranishëm, nuk guxuan të reagonin.

Arjan Tase vret 7-vjeçaren

Një ngjarje e rëndë tronditi Shqipërinë ditët e para të gushtit, ku një vajzë 7 vjeçe u vra në Himarë nga ish-polici Arjan Tase, i cili po lëvizte me skafin e tij brenda zonës së ndaluar.

Tase, dikur i pezulluar nga detyra për lidhje me trafikantët e drogës, ishte rikthyer sërish në polici.

Pasi doli zbuluar në Himarë, ku ishte shef policie, Tase u gjend papritur në Policinë e Elbasanit. Tase mbante detyrën e shefit të Policimit në Komunitet në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, “i larë” nga të gjitha akuzat për trafikun e drogës. Nga Elbasani sërish në Himarë, Tase u kthye për të shkaktuar një tragjedi të rëndë, që provoi dështimin e Policisë së Shtetit në ruajtjen e rendit dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Saga Nuredin Dumani

Për vite me radhë policia dështoi në arrestimin e të shumëkërkuarit Nuredin Dumani, një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Elbasan, tashmë i penduar i drejtësisë.

Dumani u arrestua në 29 mars të këtij viti. Policia ra në gjurmët e tij vetëm pas një atentati në Papër të Elbasanit, ku u qëllua me armë ndaj një automjeti tip BMË në lëvizje. Në atentat, Dumani mbeti i plagosur. Ndërkohë, tashmë i penduari i drejtësisë, arriti të dilte nga radari i Policisë së Elbasanit i pashqetësuar, të shkonte drejt Fierit, ku përfundimisht ra në pranga.

“Arratisja” e Talo Çelës

Pas arrestimit të Dumanit, disa persona ranë në prangat e policisë në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”. Megjithatë, jo Talo Çela.

Ai u largua  nga vendi ku strehohej përpara se aty të mbërrinte policia. Dyshohet se Çela strehohej në një nga vendet që ka qenë objekt i kontrollit nga RENEA, por arrestimi i tij nuk u bëi mundur, duke ngritur dyshime për një dekonspirim të mundshëm të operacionit.

Atentati ndaj Lulzim Bitrit dhe Ardjan Çollakut

Krimi tronditi sërish Elbasanin mbrëmjen e 4 tetorit 2021. Lulzim Bitri dhe Ardjan Çollaku mbetën të vrarë në një atentat mafioz pranë një pike karburanti para metalurgjikut.  Edhe sot, policia nuk ka rënë në gjurmët e autorëve.

Leonard Palushi, ish-shefi i policisë në Elbasan, i lidhur me bandat e krimit

Leonard Palushi ra në pranga në kuadër të një operacioni të Prokurorisë së Posaçme. Nga hetimet rezultoi se ish-funksionari i policisë, bënte “lojë të dyfishtë”, duke shitur informacion te grupet kriminale si dhe duke dekonspiruar kështu aksionet e nisura nga policia dhe prokuroria.

Ky ishte një rast flagrant, që u bë provë për akuzat e herëpasherëshme, që Policia e Elbasanit ka lidhje me krimin e organizuar.

Vrasja e Everest Çakës

Everest Çaka mbeti i vrarë brenda makinës së tij, ndërsa u plagos edhe bashkëshortja e tij, Silvana Çaka. Ndaj policisë pati akuza që reagoi me vonesë, edhe pse SHÇBA nuk nisi hetim për një pretendim të tillë. Vrasja sot mbetet ende e pazbardhur.

Arratisja e Mirjan Dedjas

Në vijim të vrasjes së Çakës, policia ndaloi Mirjan Dedjan, i dyshuar si i përfshirë në krim. Megjithatë, qëndrimi i tij në komisariat nuk zgjati shumë, pasi i dyshuari u arratis.

Audi i blinduar përplas makinën e policisë

Në vitin 2017, një tjetër skandal përfshiu Policinë e Elbasanit, teksa vijonin me operacionin “Summer 2017”, me qëllim  bllokimin e automjeteve të trafikuara.

Gjatë kontrollit të në lagjen “Dyli Haxhire” në automjetin me targa  AA 040 OJ, mjet luksoz me një vlerë rreth 100 mije euro, personit që ishte në timon iu kërkua që të shoqërohej për verifikim të  dokumentacionit. Në momentin që makina po shoqërohej nga grupi “Shqiponjat” dhe nga një patrullë policie, një mjet tip “Audi” vjen me shpejtësi dhe godet mjetin e Policisë me targa MB 002 AA. Më pas mjeti që goditi makinën e policisë u fut në Tregun Ushqimor.

Mjeti dyshohej se drejtohej nga Suel Çela, i cili më vonë doli i pastër nga akuzat. Por sipas gjykatës në Audin që goditi policinë në Elbasan ishte Enea Bekteshi, i cili u gjet fajtor dhe u dënua për kundërshtim të punonjësit të policisë me 6 vite burg.

Kjo është vetëm një listë e shkurtër e ngjarjeve që kanë tronditur Elbasanin, i cili megjithë “përpjekjet” e nënkomisares Anisa Kostani dhe kolegëve të saj, mbetet i pasigurt për qytetarët dhe një oaz ku krimi mund të veprojë i pashqetësuar.

Policia jo vetëm që nuk ka qenë në gjendje të parandalojë ngjarje të tilla të rënda, por nuk ka mundur as t’i zbardhë e me raste është akuzuar si e përfshirë.

/abcnews.al