Deputeti i PD dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Flamur Noka në një konferencë për mediat nga selia blu ditën e sotme ka thënë se Enkelejd Alibeaj nuk ka mision që PD të bashkohet por sipas tij ai vazhdon të përkushtohet në përçarjen e saj.
“Pas 6 marsit e gjithë Opozita e ka thënë, bashkimi është qëllimi dhe misioni ynë. Ju edhe mbrëmë e konstatuat, Enkelejd Alibeaj nuk ka lidhje me këtë bashkim, vazhdon të përkushtohet në përçarjen e PD-së. Nuk e ka në mision që të bëhemi më të bashkuar për tu përballur me regjimin. Ju e patë, edhe mbrëmë, ai e mbylli mbledhjen dhe kërkoi të dilte jashtë, por askush nuk e ndoqi. Pengjet bëjnë punën e tyre, demokratët të tyren”, tha Noka.
Noka ka folur edhe në lidhje me raportin e DASH. Ai tha se ka ardhur koha që të bëhen të gjithë bashkë për t’i dhënë fund qeverisë së korruptuar.
“Qeveria e Edi Ramës përbën rrezik real për të drejtat e shqiptarëve, përmes presionit mbi drejtësinë dhe mediat e blerjet e votës. Ky është rezultat pas skanimit që DASH i ka bërë situatës së Drejtave të Njeriut në Shqipëri. Ajo vërtetoi të gjitha shqetësimet dhe akuzat që PD dhe opozita ka ngritur gjatë kësaj qeverisje. A ishin të lirë shqiptarët të zgjidhnin ato që donin? A ishin shqiptarët të lirë te zgjidhnin qeverinë që donin? Departamenti i Shtetit thote Jo! Vullneti i shqiptarëve është deformuar nga një qeveri që bleu votat, që përdori buxhetin e shtetit dhe sistemin kriminal të patronazhimit, duke ekspozuar mbi 900 mijë qytetarë përballë presionit politik të partise në pushtet”, tha Noka.