Nothing prezantoi gjatë ditës së djeshme gjeneratën e dytë të kufjeve wireless, Nothing Ear (2), të cilat ofrojnë shumë shërbime të ngjashme me AirPods 2 për një çmim më të lirë prej $149.

Nothing ka përdorur një formë të ngjashme me gjeneratën e parë në dizenjimin e kufjeve të reja, duke ruajtur gjithashtu dhe tejdukshmërinë që karakterizojnë produktet e kompanisë. Këto kufje janë po aq të rehatshme sa AirPods Pro 2 për t’u përdorur për kohë të gjata.

Shërbimi Active Noise Cancellation është i pranishëm në këto kufje, dhe Nothing tregon se ANC do të personalizohet në bazë të formës së veshëve të përdoruesit. Ofrohet gjithashtu dhe një “transparency mode” për të dëgjuar më tepër atë çfarë ndodh në ambientin pranë jush. Mund të themi që ANC në Nothing Ear (2) është i përafërt me atë në AirPods Pro 2, por nuk mund të themi të njejtën gjë për sa i përket transparency mode.

Për sa i përket cilësisë së audios, Nothing ka shtuar çertifikimin Hi-Res Audio dhe LHDC 5.0. Është përdorur gjithashtu një driver 11.6mm dhe dizajni “dual chamber” që ofron një cilësi mjaft të mirë të audios, por cilësia e audios në AirPods Pro 2 është superiore.

Nothing Ear (2) ofron një jetëgjatësi baterie prej 36 orësh së bashku me kasën mbajtëse (ANC të paaktivuzar), si dhe janë të përshtatshme për t’u përdorur në palestër falë çertifikimit IP54.