Dëshmia e Nuredin Dumanit ka qenë kyçe në goditjen e grupit të Xhevdet Troplinit sot në Durrës. SPAK, policia italiane dhe ajo shqiptare zhvilluan ndoshta një prej aksioneve më të fuqishme në qytetin bregdetar, pasi ky grup ka pasur kontrollin total të trafikut të drogës.

Në dosjen e prokurorisë italiane, thuhet se Dumani ka pranuar se njihej me Elvis Doçin (Visi i Pojës). Në dosje jepet dhe pjesë nga rrëfimi i tij, teksa Dumani deklaron se “Visin e Pojës” e njeh që të vogël.

“Pasi e njohu nga një fotografi, Nuredi Dumani dëshmoi se e njihte prej shumë vitesh Elvis Doçin, të cilin e njihte vetëm me emrin ‘Visi i Pojës’, për shkak të marrëdhënies së ngushtë kriminale që kishte pasur më parë me Fatmir Troplinin i njohur si “Miri”, i biri i Xhevdet Troplinit (i quajtur “Poja”(daja i Elvisit) dhe kushëri i Elvis Doçit.

Lidhur me këtë, ai sqaroi ndër të tjera se në ambientin kriminal shqiptar nuk kishte askënd tjetër përveç Elvis Doçit, që njihej me nofkën ‘Visi i Pojës’:

“E identifikoj shumë mirë (…) e njoh me emrin VISI. E njoh prej vitesh, që kur isha i vogël (…) Visi është një negociator shumë i aftë (…) për trafikun e heroinës (…) Më pas, në vitin 2013, e la heroinën dhe filloi me kokainën (…) Për heroinë nuk e kam dëgjuar më, por për kokainë po. Me tonelata (…) Të gjithë e quajnë Visi i Pojës (…) Poja është Xhevdet TROPLINI (…) Visi i Pojës është djali i motrës së Xhevdet TROPLINI-t të quajtur Poja (…) nuk ka ndonjë tjetër Visi”, thuhet në dosje.

Një operacion i madh ndërkombëtar kundër drogës, i quajtur “URA” , u zhvillua sot, duke çuar në arrestimin e 52 personave midis Shqipërisë dhe Italisë, si dhe në sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë disa milionë euro. Operacioni u krye me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Tiranë, Policisë Shqiptare, nën koordinimin e Drejtorisë së Qarkut Antimafia të Barit dhe SPAK të Tiranës.

Sipas hetimeve, organizata kriminale shqiptare vepronte në shkallë të gjerë përgjatë rrugëve ballkanike, me degë drejt Evropës Veriore dhe vende të konsoliduara zbarkimi për drogën në Puglia, e konsideruar një qendër strategjike për shpërndarjen e narkotikëve.

Kokaina dhe lëndë të tjera narkotike transportoheshin kryesisht nëpërmjet rrugëve detare, me mbështetjen logjistike të qelizave operative të pranishme në Itali, të përfshira gjithashtu në menaxhimin e të ardhurave të paligjshme përmes aktiviteteve të pastrimit të parave dhe pronësisë fiktive të aseteve.

Pjesë nga dosja italiane

Në lidhje me kapacitetin kriminal të grupit të lidhur me Xhevdet Troplinin, i quajtur “Poja”, Nuredin Dumani tregoi se bëhej fjalë për një grup kriminal të egër, ndër më të fuqishmit që vepronin në Shqipëri, hegjemoni prej disa vitesh në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe armëve, dhe i aftë për të vepruar edhe jashtë vendit, falë degëzimeve të forta në Itali dhe Gjermani, si dhe kontakteve në Amerikën Latine:

“Ka hyrë fuqishëm në tregti që nga viti 2010 (…) tani ata kontrollojnë të gjithë Durrësin! (…) Në Gjermani, Itali. Në Hamburg pothuajse kanë pushtuar gjithë qytetin (…) Po flas për trafikun e kokainës (…) në Itali kishin mundësi ta fusnin në zonën e Kalabrisë. Ajo vinte nga Kolumbia.”

Dumani: “Nuk e di mbiemrin e tij, por e njoh me emrin VISI. E njoh prej vitesh, që kur isha i vogël, rreth 16-17 vjeç.”

P.M. DOKTOR CHIMIENTI: Çfarë di për këtë Visi, çfarë bënte?

Dumani: “Visi është një negociator shumë i mirë.”

P.M. DOKTOR CHIMIENTI: Negociator i çfarë?

Dumani: “Fillimisht për trafikun e heroinës.”

Oficer P.G Gjoni: Në cilin vit?

Dumani: “Flasim për vitet 2010 deri më 2013, ishin më të fuqishmit.”

P.M. DOKTOR CHIMIENTI: Gjithmonë për heroinë?

Dumani: “Për heroinën.”

MAJG. CEA: A bënte pjesë në një grup?

Dumani: “Një grup shumë i madh. Është grupi i Xhevdet TROPLINIT.”

Oficer P.G DUKA: Shpjego lidhjen që ka me Xhevdetin.

Dumani: “Grupi i Xhevdet TROPLINIT, vitet e fundit, është bërë grupi më i madh, të paktën në qytetin e Durrësit.”

Oficer P.G GJONI: Për çfarë?