Një burrë i cili luftonte me ankthin dyshohet se ka humbur ndjesinë e frikës, pas një operacioni në tru.
Ai pretendon se kjo gjë i ka dhënë atij fuqi kur përballet me rreziqet e shumta të jetës, të tillë si hajdutët apo merimangat që më parë i trembej shumë.
Sikurse shkruan RT, Jody Smith, 32-vjeç, thotë se ai nuk ka më “frikë” nga asgjë – një rezultat i papritur pas prerjes së një copëze në tru nga mjekët kirurgë.
I riu, i cili banon në Nju Jork vuante nga sulmet e shpeshta të panikut. Nervozizmi periodik çoi në një episod serioz ku ai humbi ndjenjat dhe më pas filloi të zvarritej rreth oborrit të fqinjit të tij. Smith thotë se mezi e mban mend incidentin. Pasi u këshillua me një specialist, ai u diagnostikua me epilepsi.
Kaluan dy vjet që ai përpiqej t’i trajtonte krizat me ilaçe, por pa rezultat. Operacioni në tru ishte shpresa e tij e fundit. Para se të fillonte procedura, mjekët vendosën sonda brenda trurit të Smith në mënyrë që të mund të gjenin nga vinin sulmet. Mjekët madje i provokuan atij sulme paniku, në mënyrë që të shikonin se cila pjesë e trurit do të aktivizohej për të shkaktuar krizat.
Ai tha se me qëllim e “torturoi” veten, duke ndezur muzikë me zë të lartë dhe duke privuar veten nga gjumi, me shpresën për të shkaktuar një reagim epileptik. Në një moment mjekët e tij madje e inkurajuan të pinte birrë për të përshpejtuar procesin.
Pas një jave, kirurgët përcaktuan shënjestrën: ishte gjysma e përparme e lobit të djathtë të Smith, amigdala e djathtë dhe hipokampusi i djathtë. Tri ditë pas opeacionit, Smith u lejua të dilte nga spitali. Ndërsa rikuperohej në shtëpi, ai vuri re se operacioni i kishte lënë probleme me kujtesën dhe përqendrimin. Por kishte edhe një efekt tjetër anësor: ai nuk mund të ndjente më frikë.
Smith tregon sesi i dolën përpara disa hajdutë dhe në vend që ai t’i trembej, eci përpara tyre pa frikë. Një tjetër incident që ai kujton është kur e pickoi një merimangë. Edhe pse ai ndjeu dhimbje, nuk kishte frikë dhe nuk reagoi.
32-vjeçari duket se është i lumtur dhe edhe pse ende vuan episode të humbjes së kujtesës dhe ka problem me përqendrimin, thotë se jeta e tij është më e mirë “pa ndjenjën e frikës”.
Smith shpjegoi se ai tani mund të analizojë me qetësi dhe në mënyrë racionale situatat në vend që të mbingarkohet me emocione.
Ndërsa ekspertët mjekësorë e kanë konsideruar mungesën e frikës një efekt anësor të papritur, ata gjithashtu nuk ishin të befasuar nga pikëpamja e tij e re për jetën. Mjekja Sanne van Rooij, një profesoreshë asistente në psikiatri dhe shkencat e sjelljes në Universitetin Emory, beson se reagimi i Smithit ndaj operacionit pasqyron raste të tjera në të cilat njerëzit iu nënshtruan procedurave të ngjashme kirurgjikale.