Teksa i ndjeri Artan Lame nuk ndodhet më mes nesh, “Qyteza Fshati në Veriperëndim të Ersekës” i ka dedikuar fjalët prekëse.
Duke e shoqëruar me foton e Artan Lames, vendi nga ku publicisti kishte origjinën e tij prek zemrat duke shkruar që ai dinte ta bënte jetën, të ngrohtë, të thjeshtë e të bukur për të gjithë.
“Mbajte gjithmonë në zemër – Qytezën tënde të dashur. Aty ku rrënjët e tua u bënë dritë për shumë të tjerë. Aty ku të njihnin të gjithë për atë çfarë ishe: një zemër e madhe, një mik i rrallë”, shoqërohet në foton e Lames në rrjetin social të Qytezës.
Gjithashtu, ata shprehin se kujtimi i tij do të jetojë në çdo vend ku ai ka lënë të qeshura, fjalë të mira me praninë që nuk e zëvendëson dot njeri.
Postimi i plotë:
Një moment i thjeshtë… një jetë e tërë kujtimesh.
Ulur në paqe, me një buzëqeshje të qetë dhe një gotë përpara, je po ai – Artani që dinte ta bënte jetën të duket më e ngrohtë, më e thjeshtë, më e bukur.
Në këtë foto ka më shumë se sa shihet. Ka shpirt, ka histori, ka dashuri për njerëzit dhe për vendin që e mbajte gjithmonë në zemër – Qytezën tënde të dashur. Aty ku rrënjët e tua u bënë dritë për shumë të tjerë. Aty ku të njihnin të gjithë për atë çfarë ishe: një zemër e madhe, një mik i rrallë.
Na dhe shumë… dhe ike pa zhurmë.
Por kujtimi yt do të jetojë në çdo qoshe ku ke lënë të qeshura, fjalë të mira e praninë tënde të pazëvendësueshme.
Prehu në paqe, Tan.
Qyteza jote e vogël dhe zemrat tona do të të mbajnë përjetë gjallë.