Erion Murataj PSD

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka njoftuar se organet më të larta drejtuese të partisë kanë vendosur të tërhiqen nga koalicioni qeverisës në Maqedoninë e Veriut.

“Presidenca qendrore dhe kryetarët e degëve vendosën që të kalojmë në opozitë”, deklaroi Taravari, duke shtuar se “po rikthehemi mes qytetarëve. Në zgjedhjet lokale të tetorit do të kemi një rezultat shumë më të mirë”.

Ai ka vlerësuar se qytetarët po i kritikojnë sepse premtimet për ndryshime nuk janë përmbushur.

“Nuk i realizuam ndryshimet që i kishim premtuar dhe qytetarët me të drejtë na kritikojnë për këtë. Prandaj vendosëm të kthehemi tek qytetari dhe t’i kërkojmë sërish besimin në zgjedhjet lokale të tetorit. Sot konstatuam se, nëse brenda Qeverisë ka mungesë besimi, atëherë duhet të largohemi prej saj”, shtoi Taravari.

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Taravari, ka vendosur të garojë me lista të veta në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Pas kësaj, partitë tjera të koalicionit VLEN vendosën që ta shndërrojnë koalicionin në parti, por pa Aleancën.