Ylber Ramadani vlerësoi të dy kundërshtarët dhe theksoi se fokusi fillimisht është te ndeshja e radhës ndaj Çekisë.

Mesfushori nënvizoi se Kombëtarja do të japë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv në të dyja takimet.

“Të dy kundërshtarët janë të fortë, kanë luajtur në Europian. Synimi i tyre është kualifikimi, por ne mendojmë vetëm ndeshjen e radhës ndaj Çekisë, pastaj Ukrainën. Nuk do të jetë e lehtë pasi janë kundërshtarë të fortë. Çekia është skuadër fizike, por ne jemi duke u përgatitur. Avantazhi jonë i vetëm janë tifozët që do t’i kemi në “Arenën Kombëtare”, kjo është një shtysë e madhe për ne.

Në futboll funksionon ndeshje pas ndeshje. Unë mendoj që presion kemi gjithmonë, por ne e dimë si ta menaxhojmë dhe e dimë si duhet të luajmë me Çekinë. Atje u mundëm nga duelet dhe topat e gjatë, por mendoj që këtu do të jetë një ndeshje ndryshe. Duhet të futemi në fushë shumë seriozisht dhe ta menaxhojmë presionin në mënyrën e duhur.

Unë nuk e kam problem, pasi ambientohem shumë shpejt në fushë. Me lojtarët që luajnë më shumë në sulm nuk kam problem, pasi duhet të rri mbrapa të ndihmojë mbrojtjen. Kjo është detyra ime. Zgjedhjet i bën trajneri, por unë nuk e kam problem. Nuk lodhem asnjëherë (qesh), jap gjithçka.

Jo, nuk i shikoj notat që vendosen kurrë. Shikoj vetëm analizën e trajnerit.

Sulmuesi i Çekisë është i gjatë dhe duhet ta mbulojmë dy veta. Ashtu e pësuam golin e parë në Çeki, janë skuadër shumë fizike. Duhet ta menaxhojmë shumë mirë sulmuesin e tyre.

Normalisht, të gjithë kemi ardhur që të marrim në të dyja ndeshjet rezultate pozitive. Do bëjmë maksimumin.

Mendoj që duhet të ndryshojmë qasjen dhe përkushtimin në ndeshje”, tha Ramadani në konferencë.

Top Channel