Mungesa e vaksinave kineze në qendrën e vaksinimit të ngritur në sheshin Skënderbej, ka krijuar konfuzion dhe radhë të gjata të qytetarëve të cilët presin të marrin të paktën një përgjigje dhe jo më dozën e dytë.
Qytetarët shprehen të indinjuar për kamerën e Faxnews, pasi nuk kanë asnjë informacion se kur do të mund të merret doza e dytë e vaksinës kineze. Ata theksojnë se kanë mungesë informacioni si dhe nuk dinë nëse marrja e dozës së dytë me vonesë është efektive për mbrojtjen nga virusi.
“Në dijeninë tonë doza e parë është bërë kot po nuk u bë e dyta. Problemi është shumë serioz. Të bësh vaksinën e parë dhe të thuash që do vish për një muaj të marrësh dozën e dytë, dhe kur vijmë këtu na thonë nuk ka, kjo mua nuk më duket e drejtë.
Domethënë janë harxhuar vaksinat për dozën e parë dhe nuk janë planifikuar rezervat që unë të merrja dozën e dytë dhe të quhesha i shëruar sot. Duhet të ishte bërë e dyta sot, kështu që dhe doza e parë unë mendoj se është kot po kaluan 3-4 ditë nga afati 30-ditor. Unë kështu mendoj, të më jepet përgjigje tani, unë duhet të marrë sërish 2 doza? Mjekësia duhet të më japë përgjigje. Mirë ishte që të na kishin marrë në telefon dhe të na sqaronin, ata e kanë numrin tonë”, tha qytetari.
Nga ana tjetër një qytetarë u shpreh se punonjësit në qendrën e vaksinimit i kishin thënë se nuk kishte më vaksina, pa e sqaruar mbi atë çka pritet të ndodh dhe kur mund të vijnë dozat e tjera.
“As këtu nuk sqarojnë. Nuk ka na kanë thënë dhe iku ai”, tha qytetari.
fax web