Qindra mijëra qytetarë, të cilët nuk kanë paguar taksat vjetore për makinat që kanë në pronësi, rrezikojnë një seri ndëshkimesh nëse nuk i shlyejnë shpejt detyrimet e prapambetura.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, të gjithë pronarët e mjeteve që u janë shmangur pagesave të taksave, nuk do të mund të marrin një seri shërbimesh thelbësore duke filluar që nga ndryshimi i pronësisë; ndryshimi i targave (në rast dëmtimi apo humbje); kontrolli fizik (përfshirë certifikimin e xhamave të errësuar); lejet e qarkullimit kombëtare dhe ndërkombëtare; kontrollin teknik të detyrueshëm, si dhe të bëjnë çregjistrimin e mjetit.
Situata
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka rolin thelbësor të një agjenti tatimor, duke marrë përsipër llogaritjen, arkëtimin dhe transferimin në Buxhetin e Shtetit të të ardhurave nga taksa vjetore e mjeteve të përdorura dhe të luksit.
Në këtë kuadër, DPSHTRR ka ndarë me publikun disa të dhëna dhe fakte të rëndësishme lidhur me këtë detyrim.
Deri në Qershor 2025, Regjistri Kombëtar i Mjeteve tregon se 256,741 mjete rezultojnë debitore për taksat vjetore.
Ky numër i lartë tregon një problem të vazhdueshëm me pagesën në kohë të këtyre detyrimeve.
Ku ndodhen debitorët dhe kush janë ata?
Sipas DPSHTRR, analiza e të dhënave tregon se Tirana udhëheq listën e qarqeve me numrin më të lartë të debitorëve, me plot 100,453 mjete. Pas saj vijnë Durrësi me 35,153 dhe Shkodra me 17,881 mjete debitore.
Sa i përket natyrës së debitorëve, individët përbëjnë shumicën dërrmuese. Plot 84% e debitorëve janë persona fizikë, ndërsa subjektet private zënë 16% të totalit. Kjo sugjeron se mungesa e pagesave shpesh lidhet me përgjegjësitë individuale të pronarëve të automjeteve.
Planet e DPSHTRR për menaxhimin e debisë
Për të menaxhuar nivelin e lartë të debive nga pagesat e vonuara, DPSHTRR ka hartuar një plan masash parandaluese dhe ndaluese. Këto masa përfshijnë:
Njoftime Shkresore: Drejtoritë Rajonale dërgojnë njoftime mujore drejt debitorëve.
Njoftime Digjitale: Përmes platformës e-Albania, dërgohen njoftime dixhitale për përfundimin e afatit të vlefshmërisë së taksës së mjetit.
Identifikim në Terren: Mjetet debitore identifikohen edhe në terren përmes sistemeve të monitorimit.
Ndalim Shërbimi: Më e rëndësishmja, mjetet që rezultojnë debitore ndalohen të marrin shërbime nga DPSHTRR.
Pasojat e mospagimit
Çfarë shërbimesh bllokohen?
DPSHTRR thekson se përfitimet vijnë gjithnjë të shoqëruara me përgjegjësi. Për këtë arsye, mjetet që kanë detyrime të papaguara nuk mund të marrin shërbimet thelbësore si:
Ndryshimi i pronësisë
Ndryshimi i targave (në rast dëmtimi apo humbje)
Kontrolli fizik (përfshirë certifikimin e xhamave të errësuar)
Lejet e qarkullimit kombëtare dhe ndërkombëtare
Kontrolli Teknik i detyrueshëm
Çregjistrimi i mjetit
Certifikatat ADR dhe CEMT
Konfirmime të ndryshme që lidhen me mjetin
“DPSHTRR u bën thirrje të gjithë debitorëve të paguajnë detyrimet e tyre në kohë, jo vetëm për të shmangur kamatëvonesat, por edhe për të siguruar aksesin e vazhdueshëm në shërbimet e nevojshme të transportit. Mospagimi i taksës mund të sjellë jo vetëm kosto shtesë, por edhe pengesa të mëdha në përdorimin e ligjshëm të mjetit.”, mbyll njoftimin DPSHTRR.


