Kryeministri Edi Rama iu ka dhënë sot të rinjve të FRESSH mesazhe për t’u angazhuar dhe përfshirë në politikë. Duke e nisur me Platonin, Aristotelin, Rama foli për etiketimin që i bëhet politikës sot dhe deklaroi se politika nuk duhet lënë të bëhet monopol i politikanëve, teksa rrëfeu dhe arsyet pse iu fut ai vetë politikës, duke u përfshirë në lëvizjen studentore si pedagog i Arteve.
“Ndryshimi politik në Shqipëri nuk do kishte ndodhur kurrë po të mos ishin ngatërruar me politikë se kështu thuhej atëherë disa pedagogë dhe studentë. Nuk do kishte pasur lëvizje demokratike dhe as pluralizëm demokratik në Shqipëri. Unë isha në atë kohë njëri nga ata, jepja mësim në Akademinë e Arteve. Nuk kisha asnjë ambicie politike atëherë dhe kur u vendos pluralizmi, u krijua PD, u hapën rrugët e karrierave në politikë, mua më mjaftoi liria e fituar dhe vazhdova jetën time krijuese si artist. Me politikën vazhdova të merresha si qytetar i thjeshtë, por përse u ngatërrova unë atë kohë me politikë kur nuk kisha ambicie politikë dhe të merreshe me politikë mund të sillte belara sepse ishte politika shkaku i kufizimeve të mia të tmerrshme si artist. Ato kufizime nuk ishin tmerr vetëm për mua, por për gjithë bashkësinë në Akademinë e Arteve. Si mund t’i hapja lirisht librat e ndaluar. Unë s’doja të merresha me politikë, doja të merresha me art, por ja që politika merrej me mua, me artin tim. Sensi i politikës është liria”, deklaroi Rama.