Ndërsa viti 2021 shënoi rekordin e sipërfaqes së lejeve të ndërtimit të hënë në kryeqytet, që pas viteve ’90, viti 2022 duhet se do të sjellë një tjetër rekord, duke sinjalizuar beton të mëtejshëm në Tiranën tashmë të mbingarkuar.
INSTAT raportoi se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet ishte 800 mijë metra katrorë, duke u dyfishuar në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipërfaqja e lejeve të dhëna në kryeqytet vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, është sa gjysma e lejeve të dhëna për gjithë vitin 2021.
Pothuajse të gjitha ndërtimet janë përqendruar në kryeqytet, me sipërfaqen e dhënë në Tiranë, që përbën 77% të totalit të lejeve të dhëna për të gjithë vendin.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në kryeqytet, sipas INSTAT është 28.7 miliardë lekë, ose 235 milionë euro. Vitin e kaluar, vlera totale e sipërfaqes së lejeve ishte 57.3 miliardë lekë, ose 470 milionë euro.
Lejet e ndërtimit në Shqipëri
Sipas INSTAT, Në tremujorin e parë 2022 janë miratuar gjithsej 397 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 251 leje të miratuara në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 58,2 %.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2022, është 1.031.088 m2, nga 599.446 m2 miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 72,0 %.
Në tremujorin e parë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 39,0 miliardë lekë, nga 26,6 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 46,7 %. /Monitor.al