Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ditën e sotme mori pjesë në analizat vjetore të punës në drejtoritë vendore të Policisë Elbasan dhe Korçë.

Proda ka vlerësuar punën e strukturave për garantimin e rendit dhe sigurisë, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë së grupeve kriminale.

Gjatë analizës rezultoi që gjatë vitit 2024, në qarkun e Elbasanit të mos kishte asnjë vrasje.

Ky rezultat mund të quhet një arritje për rekord, pasi nuk kishte ndodhur që nga viti 1989 që përgjatë një viti të mos regjistrohej asnjë vrasje në këtë qark.

Sakaq kryepolici Proda është ndalur në disa aspekte të punës policore dhe ka kërkuar përmirësim të parametrave gjatë vitit 2025, në drejtim të policimit në komunitet, me qëllim që çdo punonjës policie të jenë më afër qytetarëve dhe të kenë nën kontroll situatën kriminale dhe shtetasit me precedentë penalë me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.

Proda ka theksuar se goditja e armëmbajtjes pa leje, parandalimi i krimeve ndaj jetës dhe pronës, goditja e trafiqeve të paligjshme, parandalimi i kultivimit të bimëve narkotike dhe shpërndarjes së tyre, si dhe ndjekja në dinamikë e të gjitha problematikave dhe shqetësimeve të adresuara nga qytetarët, janë prioritare për t’u përmirësuar akoma më tej gjatë vitit 2025