Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj  4 punonjësve të Komisariatit të Policisë Peqin të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Komisar Sh.Xh., me detyrë shef seksioni i hetimit të krimeve në volum.
N/Komisar S.D., me detyrë specialist i hetimit të krimeve.
Inspektor A.K, me detyrë ndihmës specialist i hetimit të krimeve.
Inspektor A.K., me detyrë ndihmës specialist i policimit në komunitet.

Caktimi i masave të sigurisë u bë i mundur pas hetimeve të kryera me metoda speciale, ku u arrit të dokumentohej përfshirja e punonjësve të policisë në shpërdorim detyre, duke lejuar me veprime dhe mosveprime konkrete zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të kultivimit të bimëve narkotike të dy rasteve në banesën e shtetasit R.B.

Në datën 13 shtator ky shtetas është arrestuar nga DVP Elbasan për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, pasi gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur bimë të llojit kanabis sativa.

Hetimet vazhdojnë për përfshirjen dhe të punonjësve të tjerë në këtë aktivitet kriminal.

Top Channel