Një sherr mes dy personave është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në qytetin e Shkodrës, ku njëri prej tyre e ka kërcënuar tjetrin me armë zjarri.
Më konkretisht shtetasi R. P., 30 vjeç pretendon se gjatë një konflikti të çastit, është kanosur me armë zjarri nga shtetasi Gj. S., 33 vjeç.
Ka qenë 30-vjeçari i cili ka telefonuar rreth orës 19:20 sallën operative të Policisë së Shkodrës, por kur uniformat blu shkuan në vendin e ngjarjes, shtetasi Gj. S. ishte larguar.
33-vjeçari është shpallur në kërkim, teksa Policia thotë se po punon për kapjen e tij. Gjithashtu, Policia thotë se grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
