
Ekzekutohen katër masa sigurie të caktuara nga Gjykata e Beratit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, lidhur me aktivitetin e gurëve dekorativë në malin e Tomorrit për katër zyrtarë të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.
Për këtë rast, në muajin nëntor 2024, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në malin e Tomorrit, shërbimet e Policisë arrestuan 1 administrator subjekti, vëllain dhe kushëririn e tij, pasi u kapën duke larguar 1 mjet ekskavator me të cilin dyshohet se kishin nxjerrë gurë dekorativë.
Gjithashtu u shpallën në kërkim 5 administratorë subjektesh dhe u referuan materialet për drejtorin dhe një përgjegjës i AZDM Berat.
Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Berat në bashkëpunim me Prokurorinë Berat, në vijim të hetimeve në kuadër të procedimit penal të regjistruar në muajin nëntor 2024, ka ekzekutuar 4 masa sigurie të caktuara nga Gjykata e Beratit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si më poshtë:
-masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit:
– F. N., 56 vjeç, banues në Berat, me detyrë drejtor i AZDM Berat;
– S. H., 65 vjeç, banues në Berat, me detyrë përgjegjës monitorimi pranë AZDM Berat;
– L. H., 37 vjeç, banues në Berat, me detyrë përgjegjës pranë AZDM Berat.
-masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” , për shtetasin G. Z., 58 vjeç, banues në Skrapar, Specialist zone, në Komisariatin e Policisë Skrapar.
