Varianti i quajtur LP.8.1.1 është aktualisht versioni dominues në SHBA dhe globalisht. Rastet e Covid-19 po rriten përsëri ndërsa ky variant i ri fillon të qarkullojë në disa pjesë të botës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të mërkurën se rritja e rasteve është kryesisht në rajonet e Mesdheut lindor, Azisë Juglindore dhe Paqësorit perëndimor. Varianti i ri, që po rritet globalisht, deri në mesin e majit kishte arritur gati 11% të mostrave të sekuencuara të raportuara. OBSH-ja e ka përcaktuar atë si një “variant nën monitorim” dhe e konsideron rrezikun e shëndetit publik të ulët në nivel global me vaksinat aktuale që pritet të mbeten efektive.

Pavarësisht nga gjendja e krijuar, qëndrimi zyrtar i Shteteve të Bashkuara mbi vaksinimin kundër Covid-19 po ndryshon. Të martën, Sekretari i Shëndetësisë Robert F. Kennedy Jr. njoftoi se vaksinat kundër Covid-19 nuk rekomandohen më për fëmijë të shëndetshëm dhe gra shtatzëna, një veprim i vënë menjëherë në dyshim nga disa ekspertë të shëndetit publik.

Shqyrtimi i aeroporteve në Shtetet e Bashkuara ka zbuluar variantin e ri tek udhëtarët që vijnë nga ato rajone në destinacione në Kaliforni, shtetin e Uashingtonit, Virxhinia dhe Nju Jork.

OBSH tha se disa vende të Paqësorit perëndimor kanë raportuar rritje të rasteve të Covid dhe shtrimeve në spital, por deri më tani nuk ka asgjë që të sugjerojë se sëmundja e lidhur me variantin e ri është më e rëndë krahasuar me variantet e tjera.