Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se po studion variantet e koronavirusit që janë shfaqur në Britani dhe Afrikën e Jugut, duke shtuar se nuk ka ende prova se janë më vdekjeprurëse ose më të rënda se variantet ekzistuese dhe se përgjigja më e mirë është duke shmangur infektimin.

Gjatë sesionit të rregullt të informimit që jep kjo organizatë nga selia e saj në Bruksel, zyrtarët thanë se vazhdojnë të marrin të dhëna për variantet dhe se ka raportime nga Anglia se varianti i ri mund të jetë më ngjitës. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha për gazetarët se organizata po punon me shkencëtarë për të kuptuar se si ndryshimet gjenetike të virusit ndikojnë tek reagimi i tij në organizmin e njeriut.

Ai theksoi se nuk ka asgjë që çuditshme nga shfaqja e varianteve të reja: “Viruset pësojnë mutacione gjithë kohës, është diçka e natyrshme dhe e pritshme”. Zoti Tedros tha se parandalimi i përhapjes së këtyre varianteve është arma më e mirë: “Sa më shumë që e lejojmë të përhapet, aq më shumë mundësi ka të ndryshojë virusi,” tha ai duke shtuar se të gjitha qeveritë dhe të gjithë qytetarët duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse për të penguar përhapjen.

Udhëheqësja e kapaciteteve teknike të OBSH-së, Maria Van Kerkhove shtoi se nuk ka lidhje mes variantit të Britanisë dhe atij të Afrikës së Jugut, duke shtuar se ata janë të ndryshëm, por qëlluan që u shfaqën në të njëjtën kohë. E pandryshuar mbetet mënyra për të luftuar përhapjen e virusit: distancimi fizik është arma më e mirë për të penguar infeksionin, tha ajo.

“Virusi përhapet nga një person i infektuar tek një tjetër që i qëndron pranë,” tha ajo. “Ndërkohë po zhvillojmë hetime për të kuptuar nëse hapësira e distancimit fizik duhet të ndryshojë. Por virusi preferon individë që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit”. Ndërkaq, Michael Ryan, drejtor ekzekutiv për situatat emergjente pranë OBSH-së, tha se në këto momente nuk ka prova “se virusi shkakton sëmundje më të rëndë, kërkon ndryshimin e protokollit të diagnostikimit, apo efektin e vaksinave për një të ardhme të parashkikueshme”./VOA