Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka parë nga afër në QSUT, rezultatin e ndërhyrjes kirurgjikale të transplantit të veshkës, të financuar 100% nga shteti, tek një pacient 30 vjeçar.
Manastirliu ka takuar Eralsin dhe familjen e tij, pas ndërhyrjes së sukseshme të transplantit të veshkës.
“Unë jam shumë e lumtur për ty Erals, edhe babai apo jo. Edhe për babin padyshim. Unë jam e bindur që ndihet shumë mirë sepse ka bërë gjestin tjetër që mund të bëjë prindi. Përveçse të sjell në jetë të jep mundësinë edhe të bësh një jetë tjetër dhe cilësore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se prej fillimit të zbatimin të paketave shëndetësore për pacientët që vuajnë nga sëmundje të veshkave janë kryer 125 ndërhyrje falas të financuara 100% nga shteti.
“Transplanti është një proçedurë delikate, por në fakt ne na kanë vajtur rastet shumë mirë mund të them. Nga 2015 deri tani qeveria shqiptare ka mbështetur dhe ka ofruar falas paketat e transplantit. Janë më shumë se 120 transplante të kryera. Ekzaktësisht janë 125 transplante të kryera. Përgjatë vitit 2021 ne kemi kryer 23 transplante. Padyshim ka qenë një periudhë pandemie, por ne nuk kemi ndalur për asnjë moment realizimin e këtyre procedurave nëpërmjet paketave të shërbimeve. Dhe janë të ofruara falas”, nënvizoi Manastirliu.

Manastirliu tha se me përfundimin e Spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, do të bëhet e mundur që kjo procedurë të kryhen në spitalin publik.
“Ne kemi objektivin që sigurisht me përfundimin e spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme të fillojmë që edhe procedurat e transplantit ti bëjmë edhe në sistemin spitalor publik, duke krijuar të dyja mundësitë edhe për ti dhënë të gjithë atyre qyttarëve të cilët kanë nevojë të kryejnë këtë procedurë, të cilën deri tani i kemi mbuluar këto nevoja nëpërmjet paketave e të kryhen si në sistemin pbulik e ato jo publik, sigurisht të financuara 100% nga shteti, falas”, tha Manastirliu.
Erals Pashollari, 30 vjeç nga Përmeti, në profesion Ixhinier Telekomunikacioni ka kryer transplantin e veshkës me financim 100% nga shteti, e cila ju dhurua nga babai i tij. Që prej 2015 transplanti i veshkave financohet nga shteti dhe në total deri tani janë kryer 125 transplante falas, duke shkurtuar kostot nga të ardhurat familjare të qytetarëve që kanë nevojë për këtë shërbim të kushtueshëm. Pavarësisht pandemisë COVID, në vitin 2021 u kryen me sukses 23 ndërhyrje të transplantit të veshkës. Ndërhyrjet kirurgjikale falas të transplantit të veshkës pacientët i kanë përfituar nga paketat e financuara 100% falas, pa asnjë kosto shtesë në spitalet jopublike. Për vitin 2021 kanë përfituar nga paketat shëndetësore 12,555 qytetarë.