Kryeministri Edi Rama nuk ka vonuar të kundërreagojë ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, e cila i kërkonte të moderonte gjuhën, pas komenteve të bëra një ditë më parë në Bruksel, ku veto e Bullgarisë bëri të pamundur nisjen e negociatave për anëtarësim për të disatën herë.
“Oh! Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka problem me mënyrën time të të folurit. E drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet dypalëshe duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për të marrë peng dy vende të NATO-s. Qetësohuni miq: Hiqni veton, ose më duroni!”, shkroi Rama në Twitter.
Ministria e Jashtme e Bullgarisë i kërkoi Kryeministrit përmes një deklarata zyrtare që të moderonte gjuhën me të cilën kishte komentuar gjithçka ndodhi një ditë më parë në Bruksel.
“Bullgaria gjithmonë ka qenë mes shteteve anëtare të Bashkimit Europian që ka mbështetur integrimin e popullit shqiptar. Kemi mbrojtur perspektivën europiane të Shqipërisë dhe nisjen e bisedimeve, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sa sot. Përgjatë viteve nuk ka pasur shumë zëra të tjerë krah nesh. Edhe sot, pavarësisht gjithçkaje, i qëndrojmë kësaj ideje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët europiane”, thuhet në një reagim zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.
Nuk është hera e parë që kemi dëgjuar ofendime të pamerituara nga kreu i një qeverie. Një gjuhë e tillë nuk mund të justifikohet. Presim që Kryeministri i Shqipërisë të moderojë gjuhën, duke e bërë të përshtatshme për politikanin e një vendi kandidat për në Bashkimin Europian.
Në këtë pikë, këmbëngulim që të ruajmë një ton të mirë komunikimi. Ne kemi të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët shkojnë e vijnë, kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, që nuk duhet të minohet nga gjykimet e gabuara. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes dy shteteve të mbeten peng e sjelljes së Kryeministrit të Shqipërisë”.
Para nisjes së Samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, Rama tha se Bullgaria kishte marrë peng Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari. Çfarë turpi për Europën kjo çështje bullgare. Në mes të një lufte në oborrin e pasmë të saj, një vend i NATO-s merr peng dy vende të tjera të NATO-s, nën vëzhgimin e 26 vendeve të BE-së, që po tregohen të pafuqishme”, shkroi Kryeministri në Tëitter.
Ndërsa para mediave bullgare tha. “Oh, Bullgaria këtu. Jeni zhgënjyes djema. Jeni një turp teksa mbani peng dy vende të tjera të NATO-s. Nuk pres lajme të mira sot, sepse siç e thashë dje u ngrit optimizmi, por këtu jemi dhe është një ditë e re në Europë, por jo në Bullgari”.
Pas zyrtarizimit të vendimit për të mos marrë një datë për negociatat, Rama tha se Bashkimi Europian është shndërruar në një realitet qesharak pasi shtetet më të fuqishme të botës kanë ngrirë për shkak të problemeve të një tjetër vendi.