
OnePlus ka bërë të ditur se do të prezantojë një tjetër produkt që do t’i bashkohet serisë Nord me emrin Nord CE 2.
Ky smartphone do të jetë pasardhësi i Nord CE që u prezantua vitin e kaluar, dhe besohet se do të vijë me një çmim më të përballueshëm se pajisjet mid-range Nord 2. CE qëndron për “Core Edition” dhe është e ngjashme me emërtimin FE (Fan Edition) që Samsung përdor.
OnePlus Nord CE 2 do të lançohet në datën 17 shkurt dhe reklamohet si një produkt që “merr pjesët më të mira nga Nord 2 dhe i vendos ato në një paketim me çmim më të ulët”. Ndër shërbimet kryesore të këtij smartphone-i mund të jenë karikimi i shpejtë 65W, 3.5mm headphone jack dhe mbështetje për SD card deri në 1TB.
Nga video e publikuar nga kompania duket se Nord CE 2 do të ketë një prerje hole punch për vendosjen e kameras selfie në cepin e majtë të ekranit. Për sa i përket sistemit të kamerave, nga fotografitë mund të shohim 2 lente kryesore, që priten të jenë ajo kryesore dhe një ultrawide, bashkë me një lente macro ose depth sensor.

GSMArena raporton se Nord CE2 do të fuqizohet nga proçesori Mediatek MT6877 Dimensity 900 5G. Dhe pse ky produkt po reklamohet si një produkt i ri, ka shumë gjasa që Nord CE 2 të jetë një Oppo Reno7 SE 5G i ribranduar me kamera të përmirësuara.
OnePlus nuk ka dhënë asnjë informacion rreth çmimit të Nord CE 2, por nëse mbështetemi në çmimin e Nord CE të vitit të kaluar, pritet që modeli bazë të kushtojë €329.
