Gjykata Penale e Tiranës do të vlerësojë këtë të enjte masat e sigurisë për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private.
Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë “shpërdoruar detyrën”. Sipas dosjes, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.
Në dosje theksohet se pasi pacientët merrnin programin e plotë për kurën e tumoreve dhe medikamentet siguroheshin nga shteti, mjekët ndërhynin duke programuar që një pjesë e kurës të blihej jashtë spitalit dhe konkretisht në dy farmaci private. Një nga medikamentet për kimio që duhej blerë në farmaci kushton nga 250 Euro deri në 1500 euro flakoni.
Në komunikime të tjera kuptohet që brenda farmacisë spitalore, mund të shkojë kushdo që është i afërm i një pacienti me kimio ose punonjës i brendshëm dhe kundrejt një shume monetare mund të tërheqë medikament dhe pse nuk është radha e tij për kurim por në listën e pritjes është një person tjetër.
/abcnews.al