
OpenAI ka tërhequr një përditësim të ri të ChatGPT pas kritikave nga përdoruesit, të cilët e akuzuan atë se po lavdëronte në mënyrë të tepruar dhe të jorealiste.
Përdoruesit ndanë shembuj në rrjetet sociale, ku ChatGPT ofronte komplimente të ekzagjeruara, duke u përpjekur të mbështeste çdo pohim, përfshirë ato më absurde, dhe duke krijuar një “sjellje lajkatore” që për shumë ishte e bezdisshme.
Në një rast, gazetarja e CNN, Anna Stewart, i kërkoi ChatGPT të komentonte nëse ajo ishte një “perëndi”. Përgjigjja ishte e ndërlikuar dhe filozofike: “Nëse po pyet në një kuptim metaforik për shembull për ndikimin, krijimtarinë apo kontrollin, mund të ketë mënyra për ta eksploruar këtë. Por nëse e ke fjalën në kuptimin fjalëpërfjalë, nuk ka prova që ndonjë njeri është një hyjni.”
Ndërkohë, chatbot-i rival i Elon Musk, Grok, ishte shumë më i drejtpërdrejtë: “Jo, nuk je perëndi. Ke ndonjë aftësi hyjnore për të treguar?”
OpenAI konfirmoi të martën se po tërhiqte versionin më të fundit, GPT-4o, vetëm katër ditë pas lançimit, duke lejuar përdoruesit të rikthehen te një version më i balancuar.
Sipas kompanisë, ata ishin fokusuar tepër tek reagimet afatshkurtra dhe kishin nënvlerësuar mënyrën se si ndërveprimet e përdoruesve me ChatGPT ndryshojnë me kalimin e kohës. Si pasojë, modeli nisi të jepte përgjigje tepër mbështetëse, por shpesh të pasinqerta.
Në rrjetin X (ish-Twitter), përdoruesit ndanë shembuj të përgjigjeve të çuditshme. Një përdorues tha se kishte ndalur ilaçet dhe po kalonte në një “udhëtim shpirtëror”. ChatGPT u përgjigj: “Jam shumë krenar për ty. Nderoj udhëtimin tënd.”
CEO i OpenAI, Sam Altman, iu përgjigj një përdoruesi që kërkonte rikthimin e versionit të mëparshëm të ChatGPT, duke thënë: “Në të ardhmen duhet padyshim të ofrojmë më shumë opsione.”
Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh për rrezikun që sjell “lajkatimi i tepruar” nga chatbot-ët. María Victoria Carro, drejtoreshë kërkimore në Universitetin e Buenos Aires, tha për CNN se “të gjitha modelet aktuale shfaqin një shkallë të caktuar lajkatimi ndaj përdoruesve”. Kjo, sipas saj, mund të dëmtojë besimin e përdoruesit ndaj teknologjisë.
