
Autoritetet turke njoftuan sot arrestimin e 234 të dyshuarve si pjesë e një operacioni ndërkombëtar në shkallë të gjerë kundër krimit të organizuar.
“U arrestuan 234 anëtarë të grupeve të rëndësishme të krimit të organizuar, 225 brenda vendit dhe 9 jashtë vendit”, tha ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya, duke sqaruar se arrestimet u kryen në Holandë, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.
Të arrestuarit janë anëtarë të organizatave të përfshira në trafikun e kokainës, heroinës dhe ekstazisë në shumë kontinente, shtoi ministri i Brendshëm turk.
Janë sekuestruar më shumë se 21 ton drogë si dhe pasuri me vlerë 13 miliardë lira turke (300 milionë euro).
“Jemi përballë një rrjeti ndërkombëtar në shkallë të gjerë”, tha Ali Yerlikaya, duke theksuar se të dyshuarit akuzohen për një sërë krimesh, nga trafiku i drogës deri te pastrimi i parave dhe vrasjet.
“Si pjesë e këtij operacioni, informacione dhe dokumente u ndanë me forcat policore të Francës, Anglisë, Australisë, Shteteve të Bashkuara, Greqisë, Serbisë, Azerbajxhanit, Kosovës, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Brazilit dhe Iranit”, shpjegoi Ali Yerlikaya.
