Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në vijim të operacionit kombëtar të koduar “Koordinata” ka vijuar kontrollin e territorit nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative.

Si pasojë është proceduar në gjendje të lirë edhe kryetari i fshatit Golaj pasi kultivoi 93 bimë narkotike.

Bëhet me dije se bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies.

Njoftim i Policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, në vijim të operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, gjatë kontrollit të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë konstatuar të kultivuara në territorin e fshatit Golaj, 93 bimë të dyshuara narkotike, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për kryetarin e fshatit Golaj, shtetasin Sh. R., banues në këtë fshat, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ve të kultivimit të bimëve narkotike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)