Opozita ka dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për komision hetimor sa i takon çështjes McGonigal.
Kanë qenë deputetët Luçiano Boçi dhe Albana Vokshi që kanë dorëzuar paraditen e kësaj të premteje kërkesën në lidhje me skandalin me ish agjentin e FBI dhe lidhjet me Shqipërinë.
Në këtë komision hetimor, është paralajmëruar të hetohet lidhja e kryeministrit shqiptar Edi Rama me ish zyrtarin e FBI-së të arrestuar, Charles McGonigal.
Boçi: Kemi firmosur 45 deputetë për të ngritur komisionin hetimor që të nxjerrim Ramën nga vrima e kamares. Jo vetëm komisioni do e nxjerr nga kamarja, por dhe protesta e 11 shkurtit. Rregullorja e përcakton qartë se kur ¼ e deputetëve kërkojnë ngritjen e komisionit, është detyrim që të ngrihet. Rama ka harxhuar taksat e shqiptarëve. S’do shpëtojë kësaj radhe. Ai do vijë në Komision Hetimor si ‘çeço’ dhe do përgjigjet. Ky komision do marrë detajet dhe do kërkojë të gjitha takimet e Ramës dhe skandalin e tij për të korruptuar institucionet e qeverisë amerikane, me qëllim goditjen e sistemit të pluralizimit në Shqipëri, dhe opozitës. Gjithçka do kthehet në bumerang.