Teksa në Kuvend po vijojnë debatet pasi kryeministri Edi Rama nuk është i pranishëm për interpelancën me deputetët e PD për çështjen McGonigal, kreu i qeverisë u është përgjigjur me disa postime në Twitter.

Rama shprehet se po abuzohet me lirinë e fjalës dhe me të vërtetën teksa shton se drejtësia amerikane nuk ka asnjë akuzë për të se ka korruptuar ish agjentin e FBI.

Postimi i Rames;

Një abuzim total me lirinë e fjalës,me të vërtetën,me publikun,në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu!

Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.

Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë.