Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka folur përsa i takon akuzës së kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i cili i kërkoi dorëheqjen. Manastirliu tha se Ministria e Shëndetësisë është e distancuar nga lajmi për arrestimin e sekretares së përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro.

Ministrja shtoi se çdokush është i barabartë përpara ligjit.

“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë jo vetëm për këtë ngjarje nga e cila si institucion distancohemi. Këtë qëndrim do të kemi gjithnjë për çdo rast të shkeljes së ligjit, të detyrës etj. Dhe ky person që i shkel këto, do përballet me drejtësinë.

Ky ka qenë objektivi im që kur kam marrë detyrën. Rasti është i rëndë, duhet hetuar. Nëse del, ashtu sikurse dyshimet janë të përballet me ligjin. Çdo person që merr detyrën në subjektin publik merr dhe përgjegjësinë para ligjit. Kjo është arsyeja pse e iniciuam dhe e bëmë reformën në drejtësi. Para ligjit të gjithë janë të barabartë. Unë e kuptoj që e keni të vështirë për ta kuptuar këtë.

E keni të vështirë sepse dikur kush ishte në hetim vazhdonte të drejtonte institucionet nga shtëpia. Kush vriste, drejtonte institucione të larta. Ndaj, sot ju se kuptoni dot qëndrimin tim dhe tonin për këtë gjë. Të gjithë të barabartë përpara ligjit. Zakoni juaj tashmë dihet, ju doni të bëheni, avokatë, prokurorë e gjykatës. Ju doni të bëni këto role dhe doni të vërtisni politikisht. Por falë zotit, sot kemi drejtësi dhe organe drejtësie të pavarura. Dhe unë ndryshe nga ju i respektoj.”-tha Manastirliu.