Partitë opozitare parlamentare po kërkojnë urgjentisht që Qeveria që të fokusohet në dialogun me Serbinë, duke e cilësuar bllokimin e këtij procesi të dëmshëm për vendin.
Madje vlerësojnë se me arritjen e marrëveshjes përfundimtare, pra njohjen e ndërsjellët, Kosova do të kishte mundësi edhe për anëtarësim në institucione të rëndësishme. Ish-zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj thotë se njohja e ndërsjellët duhet të jetë tema kyçe e këtij procesi.
Dialogu është një temë kyçe, i shërben interesit të vendit dhe çdokush që beson që Kosova do të jetë shtet anëtar i OKB-së kjo mund të arrihet vetëm përmes dialogut Kosovë-Serbi. Unë jam i mendimit që dialogu për çështje teknike do të duhej të shndërrohej në një dialog politik dhe temë kryesore duhet të jetë çështja e njohjes së ndërsjellë”.
Megjithatë, deputeti Hoxhaj tha se Serbia synim të dialogut e ka që ta mbajë Kosovën në status-quo, e që këtë bllokim ai po e quan recetë e shkatërrimit për vendin. Sipas tij, situata politike në Evropë shkon në favor të Kosovës.
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se se dialogu për njohje reciproke është kthyer në dialog teknik dhe nuk ka ndonjë hap konkret në këtë proces. “Prej dialogut që ka qenë në fazën e fundit për njohje reciproke është kthyer në dialog teknik dhe nuk po shohim ndonjë hap konkret karshi dialogut Kosovë-Serbi”.
“Me këtë Qeveri nuk kam shpresë se do ta përmbyllë temën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë sepse është kthyer në dialog teknik dhe atakimet nuk po bëhen të nivelit të lartë dhe nuk pres ndonjë zhvillim në dialogun Kosovë-Serbi”, shton Bunjaku-Rexhepi.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri theksoi se dialogu në tërësi ka humbur nga konteksti që e synon Kosova, andaj kërkesa e tyre mbetet për njohje të ndërsjelltë. “Dialogu në plotni ka humbur nga konteksti që Kosova e synon. Është një dialog i pa substancë. Është një dialog në nivelin teknik dhe një dialog që nuk po sjellë rezultate”.