Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE-ja në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend njoftoi se tashmë kanë dorëzuar iniciativën për votimin e mocionit të mosbesiit ndaj Qeverisë.
Nikollovski tha se nënshkrues të iniciativës janë deputetë të VMRO-DPMNE-së, ASH-AAA-së dhe të “Të Majtës”.
Kryeministri, Zoran Zaev përmes rrjetit social Facebook ka komentuar zhvillimet e fundit në vend. Ai ka thënë se, për një dëshirë të kotë për pushtet, opozita ishin gati ta çonin vendin mbrapa dhe t’i bënin njërëzit të vuanin.
“Këto ditë jemi dëshmitarë të kërcënimit të Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shoqërisë së përbashkët dhe të barabartë, qetësisë së qytetarëve brenda dhe marrëdhënieve të mira me fqinjët”, është shprehur Zaev.
Ai ka theksuar më tej se demokracia, liria, solidariteti dhe uniteti janë vlerat e tyre.
“Por ky vend ka popullin, qytetarët, demokratët, luftëtarët, politikanët dhe partitë e veta që nuk do të lejojnë që Mickoski, Apasiev dhe Gruevski të kapin dhe shkatërrojnë përsëri vendin.
Kauza jonë është edhe civile edhe shtetërore. E di që shumica e qytetarëve tanë dhe shumica e deputetëve tanë qëndrojnë me krenari pas kësaj kauze. Demokracia, liria, solidariteti dhe uniteti janë vlerat tona”, ka përfunduar ai.