Opozita proteston sot në orën 12:00 në atë që e ka cilësuar si siparin e një revolucioni për largimin e qeverisë Rama, pas disa aferave mes të cilave edhe ajo e McGonigal.

PD ka thënë se protesta do të jetë masive, madje në një letër drejtuar policisë së Tiranës, flitej për rreth 100 mijë protestues.

Një pjesë e tyre do të jenë para selisë së PD-së, të cilët do të shoqërojnë kreun demokrat Sali Berisha drejt selisë së Kryeministrisë.

Policia e Shtetit ka mobilizuar rreth 1200 efektivë për mbarëvajtjen e protestës së opozitës, e cila do të mbahet këtë të shtunë para Kryeminsitrisë.

Për të garantuar siguri do të angazhohen forcat e rendit të komisariateve, Forcat Shqiponja, FNSH dhe RENEA.

Në rreshtin e parë do të vendosen forcat e Rendit, ku do të qëndrojnë para Kryeminsitrisë, me të tërhequra do të qëndrojnë Shqiponjat dhe pastaj në rast agravimi të protestës, do ndërhyjnë Forcat Speciale. Në turmën e protestusve do të jenë edhe punonjesit civil, të cilët do të raportojnë, për cdo incident të mundshëm.

Kontrolle do të ketë edhe në hyrje të kryeqytetit për personat që mund të krijojnë probleme në tubim.

Policia e Tiranës përmes nje njoftimi ka zbardhur edhe planin e masave sa i takon protesës së opozitës që do të mbahet rreth mesdites.

Policia njofton se duke filluar nga ora 06:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 deri në përfundim të tubimit.

Ndërkohë edhe ambasada amerikane ka paralajmëruar qytetarët e saj që të kenë kujdës ditën e sotme.

Në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përballë Kryeministrisë është planifikuar të zhvillohet një protestë. Kjo protestë ka potencialin të përhapet në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.

Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin tubimet e mëdha. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit”– thuhet në mesazhin e ambasadës.

(S.H/Faxweb.al)