Sipas raportimeve nga South China Morning Post, prodhuesi kinez i smartphone-ve, Oppo, ka vendosur të ndalojë divizionin Zeku të zhvillimit të proçesorëve dhe t’i japë fund tentativave për dizenjimin e një SoC. Një lajm i tillë vjen pasi është parë që numri i shitjeve globale të këtyre smartphone-ve është në rënie.

Bloomberg rpaorton se divizioni Zeku i Oppo u themelua në vitin 2019 dhe zotëronte rreth 200 patentime në divizionin e tij në Shanghai. Njësoj si Apple, Oppo nisi të prodhonte proçesorët e tij si dhe komponentë të tjerë, megjithatë nuk arriti të lançonte një proçesor të fuqishëm për të ndaluar varësinë nga kompanitë ndërkombëtare.

Smartphone-i më i ri nga Oppo, Find N2 Flip, fuqizohet nga një proçesor MediaTek Dimensity 9000 Plus, ndërkohë që Find X6 Pro përdor një Snapdragon 8 Gen 2.

Vitin e kaluar SHBA vendosën disa kufizime mbi shitjen e proçesorëve në Kinë dhe shtete të tjera që mbështesnin Rusinë në luftën kundër Ukrainës. Prodhuesit kinezë të smartphone-ve si Oppo duhet të pajiseshin me liçensa përkatëse për të përdorur proçesorët e prodhuar nga kompanitë amerikane.

Nëse Oppo do të arrinte të zhvillonte një proçesorë për smartphone-t flagship, do të përfitonte dhe kompania OnePlus, e cila përdor shumë nga komponentët e smartphone-ve Oppo, duke rritur aftësitë funksionale të pajisjeve në të ardhmen.