Oppo po planifikon vendosjen e një kamera anësore në smartphone-t e ardhshëm. Mundësitë e vendosjes së kameras në këtë pozicion dhe benefitet e saj janë ende të paqarta, por kompania ka vendosur të patentojë këtë dizajn.
Një kamera e vendosur në anët e smartphone-ve mund të mos duket si një ide e mirë, mirëpo Oppo beson se ajo do të jetë mjaft e përdorur për të shkrepur foto të objekteve që janë në lëvizje.
“Shpesh herë është shumë e vështirë të shkrepim foto të qarta të objekteve në lëvizje me kamerat e sotme në smartphone. Mendoni përshembull një çiklist që kalon pranë jush. Përmes kameras që gjendet në anët e smartphone-it tuaj, këndi i fotografisë mund të ndryshohet mjaft thjeshtë, pa patur nevojën e lëvizjes së pajisjes.” shpjegon LetsGoDigital, të cilët zbuluan dhe ilustruan këtë dizajn.
Në patentim shihet se në vend të përdorimit të një sensori të dedikuar për kameran anësore, Oppo planifikon të përdorë një sistem me pasqyra që do të lejojë një sensor të vetëm punojë për të dyja prespektivat. Ideja është që sapo kamera të njohë një subjekt që lëviz djathtas dhe jashtë frame-it, pasqyra do të rrotullohet dhe kamera anësore do të aktivizohet për të vazhduar regjistrimin pa ndërprerje.
Përdorimi i një sensori të vetëm bën të mundur uljen e kostove dhe lejon Oppo që të regjistrojë përmes së njejtit sensor në dy drejtime të ndryshme, pa patur nevojën për një software përkatës.