Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i është lutur presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që të dëgjojë rekomandimin e Budapestit zyrtar dhe t’i kthejë policët e arrestuar të Kosovës në vendin e tyre.

“Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë që mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t’i kthyer ata në Kosovë”, tha Obran në Suboticë, gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Serbisë.

Ai shtoi se kjo do t’i ndihmonte Serbisë “në kauzën e vet”.

“Prandaj, po ju kërkoj që ta mendoni këtë”, tha Orban.

Më 14 qershor, tre policë kufitarë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

Policëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji dhe ata po mbahen në një burg në Kralevë. Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprat penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse. Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim. Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kërkuar Serbisë që të lirojë policët e Kosovës, pa kushte./rel