
Gjashtë persona janë arrestuar dhe marrë nën hetim pasi organizonin lojëra fati në mënyrë të paligjshme.
Mësohet se po ashtu janë sekuestruar 6 makineta dhe 2 aparate celularë të cilët i shërbenin këtij aktiviteti.
“Vijon operacioni “Game Over”, për goditjen e organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit. Evidentohen 2 subjekte të tjera ku ushtrohej veprimtari e paligjshme në fushën e lojërave të fatit. Sekuestrohen 6 makineta dhe 2 aparat celular, që i shërbenin këtij aktivitetit të paligjshëm.
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të operacionit policor të koduar “Game Over”, për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme të qytetit të Tiranë, ku dyshohet se mund të kryhej kjo paligjshmëri, dhe si rezultat, kanë goditur 2 raste të tjera të kësaj paligjshmërie. Në vijim të veprimeve për këto raste, shërbimet e Policisë:
-arrestuan shtetasit P. L , 52 vjeç dhe Sh. Rr., 22 vjeç, pasi në aparatin celular të shtetasit Sh. Rr, u gjetën aplikacione të lotarive të palejuara. Shtetasi Sh. Rr, ishte i punësuar në lokalin në administrim nga P. L;
-arrestuan shtetasin A. Ll., 18 vjeç si dhe shpallën në kërkim shtetasin E. T., 34 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin me administrator shtetasin E. T dhe punonjës A. LL, u gjetën 6 kompjutera që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e veprimtarisë të kundraligjshme të lojrave të fatit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
