Nga Erion Murataj!
Në fakt është e dhimbshme!
Në fakt është e hidhur por po aq është edhe komike. Komike sepse të shohësh pas 31 vitesh se si është katandisur demokracia dhe pluralizmi në Shqipëri është për të ardhur keq.
Shqiptarët janë bërë dëshmitarë prej dy muajsh të shkatërrimit, përbaltjes dhe eleminimit të një prej aseteve politike më të mëdha që ka Shqipëria në periudhen post komuniste. Patjetër që Partia Demokratike është një aset i vyer që I ka shërbyer jo vetëm në rrënimit të komunizmit por edhe stabilitetit politik të vendit në 31 vite tranzicion. Shqiptarët janë bërë dëshmitarë të një orgjie të stisur mes qirakut dhe ustait e cila në besëprerje arriti të ç’nderojë këta të dy me letrën që erdhi nga Uashingtoni.
Në fakt nuk është lajm që fermanët që vijnë nga Uashingtoni janë të detyrueshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. E tille është edhe fakti që në optikën politike diktimi se kush duhet e kush jo të jetë pjesë e orgjisë së madhe politike shqiptare është e pavend, qoftë kjo edhe nga aleati ynë strategjik.
Edhe pse me zhargon e quaj orgji politike shqiptare, në fakt elefanti i kësaj orgjie është pikërisht jabanxhiu me titullin e aleatit strategjik. Në fakt, ai është ai që dikton rregullat, normat por edhe mbarëvajtjen e orgjisë politike në Shqipëri dhe si i tillë patjetër duhet të vendoste disa kushte të qarta se si trumcakët e orgjisë shqiptare duhet të konvergonin dhe të kënaqnin njëri -tjetrin mjaftueshëm për të mos patur shqiptarët një panoramë kaq të shpifur. Me sa duket trumcakët shqiptarë tipik mistrec e kanë të pamundur që të shijojnë në paqe kujtimet e orgjisë së 31 viteve. Sot ata duan të përfshijnë të gjithë shqiptarët në një lojë të rrezikshme duke u kenaqur me ta për të përfituar vetë dhe për t’ia lënë barrën e shtatzanisë as më pak e as më shumë se si në vitin ’97 Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ajo që sot duhet të na bëjë të kthjellohemi dhe të qartësohemi është që në çdo rast në çdo rrethanë në çdo kalkulim jemi pre e orgjisë së elefantëve me trumcakët.
Egnatia news