Rezultatet e zgjedhjeve të 11 Majit, kanë ngjallur zhgënjim dhe mosbesim tek selia blu. Humbja e opozitës ka nxitur shumë diskutime dhe alibi në opinion publik, por dhe në ata që kanë qenë pjesë e strukturës së saj.
Ishte Ori Nebiaj, ish-deputetja e PD, e cila u tërhoq nga gara e 11 Majit në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan kritikoi ashpër kampin opozitar. Të paorganizuar dhe të pavërtetë me veten, e cilësoi Nebiaj opozitën.
“Opozitës i mungon deri diku të qënurit i vërtetë edhe me veten edhe me demokratët edhe me të gjithë qytetarët. Që ishte në rrethanat më skandaloze që kishte qenë ndonjëherë përballë kësaj fushate kjo nuk ka diskutim.
Pra një luftë e vazhdueshme, një konflikt i vazhdueshëm, vonesë… Megjithatë duket se disa hapa që ka marrë qoftë edhe me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duket sikur më shumë kanë favorizuar kundërshtarin se sa vetë opozitën. Kjo është diskutuar mjaftueshëm prandaj nuk po hy në detaje.”
Duke u ndalur tek pretendimet për vjedhje të votës dhe krime zgjedhore, Nebiaj tha se mbështeste raportet e bëra nga OSBE/ODIHR. Megjithatë edhe në raste manipulimi sipas saj opozita duhet të mbajë peshën e vet të fajit. Kandidatët dhe opozita duhet të krijonin besim, të luftonin dhe të bindnin popullin për t’i votuar.
“Qëndrojmë tek kjo votat janë vjedhur, u vodhën në 2021, OSBE/OHIDR e tha që u përdor pushteti, administrata, të gjitha mekanizmat, bandat kriminale ishin më prezent, jo kaq nëndheshëm sa këtë herë dhe nuk u mor asnjë masë. Qoftë edhe nga institucionet e BE-së, të përdornin qoftë edhe anëtarësimin në BE, për t’i thënë qeverisë që ti garanto një herë zgjedhjet pastaj diskutojmë për tregjet dhe për ta bërë Shqipërinë më konkurruese nesër në BE.
E thashë këtë gjë, te raporti paraprak OSBE tha të njëjtën gjë si tek viti 2021, administrata u përdor, kushtet nuk ishin të favorshme as për partitë dhe as për kandidatët, sepse qeveria dhe ato janë dimensione të tjera në garën që bëjnë. Ata kanë 200 mundësi për të pasur këtë rezultat, opozita ka një, frymën apo dëshirën e madhe për t’i dhënë një mundësi, alternativë.
Ama unë mendoj se çedojnë edhe tek kjo, çedojnë te të qenurit e vërtetë me veten dhe oferta që iu ofroi qytetarit, te oferta që i dha me listat e mbyllur, te oferta që i dha me programin dhe tek fryma që duhet të përcillnin të gjithë kandidatët dhe drejtuesit politikë, ata që siguruan mandatin e tyre dhe duket sikur nuk e justifikuan.”