Ardit Murataj

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani tha se 18 vjet më parë, vendi u ngrit nga vuajtja në dinjitet, nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme.

E para e vendit tha se Pavarësia e Kosovës u fitua me mund e gjak, dhe nga njerëz që s’u dorëzuan kurrë për liri.

“18 vjet më parë, Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet, nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vjet më parë, Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, me gjak, me sakrificë dhe durim shekullor. Ajo u ndërtua nga ata që u persekutuan, u burgosën, u dënuan por asnjëherë nuk u dorëzuan”, tha Osmani.

Nga ana tjetër, Osmani tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj.

“Ajo është zemra e rezistencës kombëtare dhe përgjigja e një populli të shtypur nga regjimi gjenocidal. Kjo luftë ishte gjithnjë e drejtë, gjithnjë e pastër dhe gjithnjë e domosdoshme. Çdo përpjekje për ta njollosur atë, për ta barazuar viktimën me agresorin, është jo vetëm e padrejtë, por edhe historikisht e pavërtetë dhe e papranueshme. Krerët e UÇK-së që sot gjinden në Hagë, së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë, u ngritën për liri, për dinjitet dhe për të drejtën për të jetuar të lirë. Lufta e UÇK-së ishte shtylla jonë më e fuqishme e rezistencës dhe shpresës”, tha e para e vendit.