Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës.
Osmani tha se largimi i serbëve, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit.
Ajo tha se ky veprim është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit.
“Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin”.
Tutje, Osmani ka siguruar të gjithë qytetarët e Kosovës se institucionet do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në çdo cep të territorit të saj në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar.
“Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë. Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës”.
Presidentja Osmani tha se komunikimi dhe bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe institucionet e Kosovës do të përkujdesen që secili qytetar i Kosovës në secilën pjesë të territorit të saj të marrë shërbimet e nevojshme nga institucionet pa ndonjë ndërprerje.
Ajo u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destablizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.
“Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, si dhe mbetet e pozicionuar qartë në rrugën e saj euroatlantike. Veprimet e institucioneve për barazi të të gjithëve para ligjit janë në përputhje me standardet më të larta dhe vlerat evropiane. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe askush nuk do të mund ta ndalojë këtë rrugë.
Por, është Beogradi ai i cili po tenton destabilizimin dhe i cili mbanë raporte të ngushta me Rusinë dhe është vegël e saj në këtë pjesë të Ballkanit”.