Një 32-vjeçar me iniciale M.P. është arrestuar nga policia në aeroportin e Rinasit pasi ka tentuar të korruptojë një efektiv policie duke i ofruar 50 euro.

Blutë bëjnë me dije se ai është paraqitur pranë kabinave të daljes ku ka pasur mungesë dokumentacioni. Për të kaluar në anën tjetër ai ka nxjerrë paratë por e ka pësuar.

Policia njofton se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale

Njoftimi i policisë

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Goditet një rast i mitdhënies. Gjithashtu, gjatë ditëve të fundit janë kapur 3 shtetas të shpallur në kërkim, goditur 6 raste të falsifikimit të dokumenteve ku shtetasit kanë tentuar të hyjnë në RSH-së, me pasaporta të falsifikuara, si dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, në vijim të punës me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë evidentuar një rast të mitdhënies dhe kanë proceduar penalisht shtetasin M. P., 32 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ky shtetas, është paraqitur pranë kabinave të daljes, dhe për të shmangur refuzimin e daljes për shkak të mungesës së dokumenteve përkatëse, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Kufitare të planizuar me shërbim, duke i ofruar një shumë parash.

Gjithashtu, gjatë këtyre ditëve, janë kapur tre shtetas të shpallur në kërkim, goditur 6 raste të falsifikimit të dokumenteve ku shtetasit kanë tentuar të hyjnë në RSH-së, me pasaporta të falsifikuara, si dhe janë proceduar penalisht dhe 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/abcnews.al