Kafja apo suplementet e gatshme jo gjithnjë funksionojnë kur ju duhet të jeni më energjikë. Mënyra më e mirë për të qëndruar të tillë është ta bëni në mënyrë natyrale, duke nisur nga zakone të vogla të përditshme gjatë rutinës suaj.

1. Dremisni pak, por fuqishëm!

Një dremitje e shkurtër për 25-30 minuta do t’ju ndihmonte të merrnit veten nëse ndiheni të lodhur, por mos harroni të vendosni alarmin për t’u zgjuar fiks pas 25 minutash. Kjo është kohëzgjatja perfekte për të marrë gjithë përfitimet që vijnë nga gjumi i shkurtër i drekës ose pasdites, ku më kryesorja është energjia e shtuar!

2. Vendosni një limit kafeine

Ndonëse dihet që kafeina ju ndihmon në rritjen e energjisë, është e rëndësishme ta limitoni sasinë e saj gjatë ditës sepse në momentin e parë që mund të hiqni dorë prej saj do të ndiheni të lodhur. Pra, përpiquni të mos krijoni varësi ndaj kafes për të qëndruar aktivë.

Përveç kësaj, mund të ndjeni më pak ankth dhe stres duke e reduktuar. Sasia optimale e kafeinës që ju duhet është deri në 400 miligramë.

3. Ushtrohuni, por nëse mundeni në natyrë

Ushtrimet fizike, kudo t’i praktikosh janë ide e mirë, por nëse doni të ndiheni më të gjallë gjatë ditës dhe më me energji, ushtrohuni në natyrë. Niveli i stresit do të reduktohet ndjeshëm, do të jeni në humor më të mirë dhe mbi të gjitha do të merrni vitaminë D në mënyrë natyrale.

4. Hani më shumë proteina

Shmangni të ëmblat dhe karbohidratet sa herë të ndjeni që ju haet diçka dhe në vend të tyre konsumoni proteina. Grupi i parë mund t’ju shijojë dhe t’ju bëjë të ndiheni më mirë për momentin, por gjatë ditës do të ndiheni të fryrë, të lodhur dhe pa dëshirë për të bërë gjëra.

5. Qëndroni të hidratuar

Pini të paktën 8 gota uji në ditë për të qëndruar energjikë dhe të kthjellët. Edhe minimumi i dehidratimit do t’ju ndikojë tek funksioni i trurit. S’do të ndiheni mirë me humorin, kujtesën, përqëndrimin dhe dhimbjen e kokës.