Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit të Partisë Demokratike, ka qenë e ftuar ditën e sotme në studion e Fax News, për të folur mbi zhvillimet e fundit politike.

Për Ilirjana Kuçanan nuk ka asnjë problem me zërat kundër që kanë dalë në Partinë Demokratike sidomos pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, pasi kjo parti është krijuar për mendimin ndryshe dhe në rast se nuk do të kishte këtë atëherë do të kthehej në Parti Komuniste.

“Mua asnjëherë nuk më ka shqetësuar zëri kundër, përkundrazi, i pëlqej ato. Une mendoj se PD është krijuar për diversitetin, pra për të sjellë zërin ndryshe. Unë mendoj se PD kjo e bën të veçantë, zëri ndryshe. Prandaj mendoj se nëse nuk do të kemi zërin ndryshe, atëherë do të kthehemi në partinë Komuniste. Ata që kanë qenë kritikë të PD kishin të drejtën si çdo anëtar”, tha ajo.

E pyetur si do të jetë aksioni i opozitës gjatë katër viteve në opozitë, Ilirjana Kuçana deklaroi se ata nuk do të jenë katër vitet e ardhshme në opozitë, pasi sipas saj PD është ajo që duhet t’i kthejë shpresën shqiptarëve.

“Nuk e dimë nëse jemi katër vitet e ardhshme në opozitë. Unë nuk mendoj se do të jemi katër vitet e ardhshme në opozitë. Korrupsioni është në standardet më të larta në Shqipëri. PD ka përgjegjësxinë për t’i kthyer shpresën shqiptarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, sepse jemi në pikën më të keqe”, u shpreh Kuçana.

Zgjedhjen e 20% të rinjve në Këshillin e Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana e sheh si një shenjë të mirë, pasi partia po i kthehet traditës së saj.

“Nuk besoj se ka vend për përçarje në PD. Unë mendoj se debati dhe mendimi ndryshe e çojnë përpara një familje. Kjo gjë medoj se ndodh dhe me familjen tonë të përbashkët PD. Debati dhe zëri kritik do ta çojë përpara. A ka vend për ndryshim? Patjetër që po. Në fund fare të bashkohemi për qëllimin e përbashkët që është shpresa për shqiptarët. Unë gjej rastin të përgëzoj, 20% të rinj të përzgjedhur. Mesa duket i është kthyer traditës dhe po përfaqësohet nga të rinj. Falenderoj çdo kontributor që ka ndihmuar PD”, theksoi anëtarja e Këshillit.

Në fund, ajo nënvizoi që është e rëndësishme të vijë në pushtet Partia Demokratike jo për interesin e saj por për të mirën e shqiptarëve.

“Opozita ka respektuar të gjitha hapat. Në shtator do të merren vendime si do ecet para. Të gjithë ata që besojnë te shpresa që PD të ketë një rrugëtim për të ardhur në pushtet. PD është e rëndësishme të vijë në pushtet për Shqipërinë mbi të gjitha dhe jo për PD”, përfundoi Kuçana.

fax