Prokurori i Posaçëm, Alfred Shehu gjatë konferencës së përbashkët me autoritetet finlandeze ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e përbashkët të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Me indicje të autoriteteve finlandeze u bë i mundur shkatërrimi i katër grupeve kriminale, të cilët në krye kishin shtetas shqiptarë. Shehu bëri me dije se dy nga “kokat” e këtyre grupeve të cilët aktivitetin e tyre e kishin shtrirë në kontrabandimin e lëndëve narkotike nga Spanja e Holanda për në Finlandë, janë nga Vlora.

“Dy nga krerët e grupeve kriminale janë me origjinë nga Vlora. Për bazë konkrete nuk mund të flasim. Pjesa tjetër ka qenë e përqendruar në zonën e Kuçovës dhe Beratit”, tha ai duke bërë me dijë ndër të tjera, se në vendin tonë këta shtetas rezultojnë të kenë qenë të “pastër”, ndërkohë që për autoritetet finlandeze mësohet se janë persona me precedentë penalë.

Gjatë kësaj konference, së bashku me homologët finlandeze, ai ka zbuluar edhe itenerarin që këto grupe kriminale kryenin me qëllim transportimin e lëndës narkotike në Finlandë.

Ndërkohë sa i përket mjeteve të komunikimit, ashtu sikurse dhe kriminelët e tjerë, këto grupe bisedonin me njëri-tjetrin përmes aplikacioneve si: Whatsap, Signal dhe Telegram.

“Përves shtetasve shqiptarë, finlandeze dhe polakë, ka dhe shumë shtetas rumunë të përfshirë, aziatikë dhe shtetas afrikanë. Karakterisitike e këtyre grupeve ka qenë bashkëpunim i këtyre me njëri-tjetrin, grupe të veçanta bashkëpunonin me njëri-tjetrin, në raste konkrete.

Dy nga grupet janë grupe që organizonin trafikimin nga Shqipëria për ta dërguar nga Spanja apo Holandë për ta çuar në Finlandë dhe pastaj kishin rrjetin e tyre të shpërndarjes. Një grup tjetër kriminal i drejtuar po nga shtetas shqiptarë vepronte vetëm në Finlandë vetëm me sigurimin e lëndëve narkotike, blerjen dhe më pas shitjen.

 Ndërsa një grup tjetër i drejtuar po nga shqiptarët organizonin transportimi ne lëndës nga Spanja në Finlandë. Një pjesë prej tyre kanë qenë më parë të ndjekur penalisht në Finlandë dhe nuk kanë qenë të evidentuar në Shqipëri. Pas kthimit të tyre në Shqipëri kanë drejtuar aktivitetin e tyre nga Shqipëria ose shtete të tjera të BE. Në kohë reale i transmetoheshin autoriteteve finlandeze dhe atje janë bërë goditjet e rasteve. Dy nga krerët e grupeve kriminale janë me origjinë nga Vlora. Për bazë konkrete nuk mund të flasim. Pjesa tjetër ka qenë e përqendruar në zonën e Kuçovës dhe Beratit”, tha ai.