Kreu i Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka, mbajti fjalimin hapës të Kuvendit të Rithemelimit.
Që në fillim, ai tha se “ne jemi demokratët e rrebeshit”.
“Kjo ditë do hyjë në historinë e Partisë Demokratike dhe të gjithë shqiptarëve. Jo vetëm sepse për herë të parë mblidhet një Kuvend me kërkesën e demokratëve, as për numrin e jashtëzakonshëm të pjesëmarrësve, por sepse pas 31 vitesh mblidhemi për të rithemeluar PD-në mbi idealet dhe parimet mbi të cilat e ngritëm,” tha Paloka.
“Unë e kam konsideruar veten me fat që isha pjesë e themelimit të PD. Sot pas kësaj dite, ne do themi me krenari që unë isha aty në ditën kur u rithemelua PD”.
“Pas 25 prillit, Basha nuk u pozicionua përballë regjimit, por në krah të tij, duke e kthyer PD-në në një opozitë fasadë. Për këtë arsye jemi mbledhur këtu për të kuvenduar. Jemi mbledhur për të rikthyer shpresën dhe besimin jo vetëm te demokratët, por te të gjithë shqiptarët se opozita e vërtetë, kjo këtu, nuk ka vdekur dhe as nuk e ka ulur kokën, aq më tepër të hyjë në pazare me Ramën, por është gati të përballet me regjimin,” tha Paloka.
“Lulzim Basha iu plasi si bombë demokratëve, largimin nga grupi parlamentar i PD, të liderit historik, Sali Berisha”.
Paloka tha se Basha po vazhdon me politikën e përçarjes së PD, duke cituar madje edhe Grida Dumën, që uroi shkatërrimin e kësaj partie.
“Ne nuk mund të pranojmë shkatërrimin e PD-së vetëm sepse 5 apo 6 vetë kërkojnë të mbajnë një karrige,” tha Paloka. “Ne jemi mbledhur sot këtu që t’iu rikthejmë shqiptarëve opozitën e vërtetë dhe të rikthejmë PD-në te fitorja. Prandaj pa e zgjatur shumë, ju uroj të gjithëve gëzuar përvjetorin e themelimit të PD dhe ditën e parë të rithemelimit të PD-së”, tha Paloka, duke iu uruar punime të mbara Kuvendit.