Kjo është pamja dramatike mëngjesin e sotëm në fshatin Zëmblak të bashkisë Maliq, pas daljes nga shtrati të përroit të fshatit i cili vërshoi në rruget e brendshme të fshatit dhe në banesa.
Sipas banorëve, kjo ishte hera e parë që janë hasur me këtë situatë, ndonëse është fatkeqësi natyrore. Dëmet janë të shumta, në infrastrukturë, si edhe në materialet brenda banesave.
“Për pak sa nuk hyri në kuzhinë, po pastrojmë këto që janë përjashta. Rruga ka goxha kosto.
Gjë e natyrës, nuk kemi ca bëjmë. Fshati ka 33 vjet që nuk është vënë dorë, as i majtë as i djathtë. Dëm i madh, s’kishte ndodhur ndonjëherë”– u shprehën banorët e fshatit.
Fatmirësisht, nuk ka dëme në njerëz apo në gjënë e gjallë të banorëve të kësaj zone.
Po aq dramatike dhe e tmerrshme është situata në varrezat e fshatit pasi uji ka vërshuar dhe ka sjellë dëmtime të varreve, dhe mbushjen e sipërfaqes me inerte.
Banorët kanë qëndruar gjatë gjithë natës jashtë banesave duke ndërhyrë me mundësitë e tyre për heqjen e ujit dhe inerteve. Bashkia e Maliqit ka qenë prezente bashkë me emergjencat civile duke bërë të mundur zhbllokimin e rrugëve me fadroma, për më tepër se 2 orë.
Situata është normalizuar pas mesnate, ku kanë përfunduar dhe rreshjet e shiut, ndërsa mbetet alarmante situata për shkak të dëmeve kolosale të shkaktuara.
Ndërkohë në terren ka dalë edhe prefekti i Korçës Nertil Jole.
“Fatmirësisht situata duket e stabilizuar, por problematika ka qe lidhen me inertet. Nuk ka patur dëme në banesa dhe familje.
Kam qenë në disa fshatra, të gjitha strukturat janë në terren, sot kemi edhe një përgatitje më të madhe pasi mjetet janë në terren, do i monitorojmë. Mbrapa do të bëjmë edhe analizën e nevojshme.
Ka qenë një situatë e pazakontë në dekada”- u shpreh ai.