Pamje fantastike nga një realitet gati i paprekshëm për gjithkënd nga ne na ka ofruar gjatë këtyre muajve të fundit Parku Kombëtar i Tomorrit.

Kameratkurth, të instaluara nga Agjensia e Zonave të Mbrojtura në Berat në të gjithë Habitatin e Tomorrit kanë filmuar dhe fotografuar kafshët e egra, që si banorët e pyllit bëjnë “paradë”, madje disa prej tyre edhe pozojnë pa vetëdije përpara kamerave.

Mbi 30 llojë gjitarësh janë shfaqur gjatë këtij muaji në Parkun Kombëtar të Tomorrit, mes tyre edhe disa kafshë që prej vitesh nuk ishin parë në pyjet tona. Kafshë të shumta si: ariu i murrmë (Ursusarctos), macja e egër (Felissilvestris), derri i egër (Susscrofa), kunadhja (Martesfoina), dhelpra (Vulpesvulpes), ujku (Canis lupus), kaprollja, gjeli i egër, dhia e egër etj, janë kapur në Habitatin e Parkut Kombëtar të Tomorrit me anë të kamerave speciale, të pajisura me sensorë.

Nëpërmjet këtyre kamerave, janë siguruar video fantastike të shumë prej këtyre kafshëve, që rrallëherë janë filmuar kaq nga afër dhe të pashqetësuara. Drejtori i Agjensisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Berat (ADZM) Fatos Nako ka deklaruar se, monitorimi i kafshëve është një nga detyrat e tyre primare dhe vendosja e “kamerave-kurth” nxorri në pah edhe prezencën e shumë kafshëve të egra të ralla, për të cilat ata ishim informuar se ndodheshin në Habitatin e Ballollit në Malin e Tomorrit nga alpinistët dhe barinjtë e zonës.

Sipas Nakos, moratoriumi i gjuetisë ka bërë që edhe në zonat e mbrojtura në Berat të ketë një shtim të kafshëve të egra gjatë viteve të fundit.

“Është shtuar ariu dhe në disa zona malore ai po dëmton edhe prodhimet bujqësore siç janë misri dhe patatja,ka një shtim të popullatës së derrit të egër,i cili i afrohet më tepër zonave të banuara. Është faktuar tashmë që në Malin e Tomorrit ndodhen 2 kope me mbi 30 krerë me Dhi të egra, njëra në zonën veriore të malit dhe tjetra në zonën jugore,të dyja zona të egra dhe me pak ushqim por me fillimin e lagështirës kemi një ringjallje të bimësisë barishtore e shkurreve që lejojnë mbijetesën e këtyre kafshëve të egra”-ka thënë Nako.