Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës pasi akuzohen për vjedhje.
Përmes një njoftimi zyrtar blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se dy shtetasit e identifikuar si Arbnor Xhinaj dhe Ledjan Gjoka, të dy banues në Vlorë, dyshohet se më datën 2 qershor, kanë vjedhur një kasafortë me 15 mijë euro në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, e cila mësohet të jetë në pronësi të mjekut, Dritan Alushani.
Gjithashtu mësohet se njëri prej tyre, Arbnor Xhinaj, rezulton të ketë qenë me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ai ka shkelur këtë masë sigurie, duke ardhur nga Vlora në Tiranë për të vjedhur paratë në kasafortën e banesës në kryeqytet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reagimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.
Vodhën kasafortën me 15 000 euro, në një banesë, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.
Të 2 të arrestuarit, të dënuar më parë për vjedhje. Njëri prej tyre, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për këtë vepër penale.
Sekuestrohet automjeti i dyshuar i përdorur nga autorët, për të realizuar vjedhjen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”, për zbardhjen e rastit.
Si rezultat i operacionit u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:
A. Xh., 40 vjeç dhe L. Gj., 38 vjeç, të dy banues në Vlorë, të dënuar më parë për vjedhje. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. Xh. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Vjedhja”.
Nga hetimet e kryera gjatë operacionit dyshohet se këta shtetas, më datë 02.06.2025, kanë vjedhur një kasafortë me 15 000 euro, në një banesë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.