Keqtrajtimet dhe vrasjet e pabesa kundër qenve endacakë janë bërë shumë problematike në vend. Pas rasteve të tmerrshme të tërheqjes zvarrë të qenve në kryeqytet dhe vrasjes së tyre në spitalin horror, sot është publikuar një tjetër rast mizor.
Organizatat në mbrojtje të kafshëve kanë raportuar se në Tiranë dhe Kuçovë janë hedhur salsiçe me helm nëpër rrugë për të helmuar qentë endacakë. “Ndiha e Kafshëve në Shqipëri” konfirmon se në zonën e liqenit Artificial, Vasil Shanto, 21 dhjetori dhe në zona të tjera të njohura në kryeqytet kanë ngordhur disa qenushë, pasi gjatë natës janë hedhur salsiçe me helm nga Bashkia e Tiranës.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Kuçovë. “ARSA Albania” ka publikuar disa foto, në të cilat qentë shihen duke nxjerrë shkumë nga goja dhe duke u dridhur pasi kanë konsumuar salsiçet me helm. Thuhet se në të gjithë qytetin e Kuçovës janë hedhur sasi me mish dhe salsiçe të helmuara. Kjo është një vepër penale e rëndë, sepse helmimi i vendeve publike dënohet me ligj.