Policia ka publikuar pamjet e arrestimit të Xhevdet Plakut dhe 6 personave të tjerë, mes të cilëve vrasësi i dyshuar me pagesë Flobenc Meçja, gjatë një aksioni tek një restorant tek Gjiri i Lalzit.

Në pamje shihet momenti kur Forcat Operacionale të armatosur deri në “dhëmbë” zbresin nga automjetet dhe futen brenda restorantit ku ndodheshin 7 të arrestuarit duke drekuar në restorant.

Efektivët futen brenda ambienteve të biznesit dhe u drejtohen Xhevdet Plakut dhe të pranishmëve të tjerë në tavolinë “Policia barkas, barkas”, “Mos lëvizni”, ndërsa një prej tyre mbante një pjatë me ushqim në dorë.

Xhevdet Plaku, me 25 identitete, u prangos pasi policia mori informacione për disa persona që ndodheshin në ambientin e restorantit, me dyshime se ishin të armatosur. Gjatë kontrollit iu gjet armë me fishek në fole gati për qitje.