33 persona shumica e tyre shqiptarë, janë arrestuar në Spanjë pasi akuzohen për kultivim në sasi të mëdha të kanabisit.

Operacioni i policisë spanjolle u kodua “Albacos” dhe ka arritur të çmontojë një rrjet kompleks kriminal të dedikuar për kultivimin, prodhimin dhe shpërndarjen e marijuanës në nivel ndërkombëtar.

33 persona (11 në Segovia, 11 në Andaluzi, 5 në Castilla-La Mancha, 4 në Aragon dhe 2 në Madrid) janë arrestuar si autorë të dyshuar ndërsa 21 prej tyre u dërguan në burg.
Hetimi nisi në fund të vitit të kaluar duke zbuluar, falë bashkëpunimit me qytetarët, katër persona të shtetësisë së huaj, të parregullt dhe pa aktivitet pune, të cilët lëviznin në lokacione të ndryshme në provincën e Segovias. Këta persona mbanin takime të vazhdueshme , duke mbajtur masa të shumta sigurie.

Hetimi bëri të mundur përcaktimin se ishte një organizatë e dedikuar për kultivimin dhe prodhimin e marijuanës për shitje në vendet evropiane dhe se kishte kapacitet për të kultivuar dhe përpunuar për shitje më shumë se 50,000 bimë marijuanë në vit, thënë ndryshe një sasi më shumë se 1500 kilogramë lëndë narkotike për t’u eksportuar në vendet e Bashkimit Evropian.